Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar lidhur me çështjen e shëndetësisë publike dhe disa probleme, siç i quan ajo.
Në një postim në rrjetet sociale, përveç tjerash Halimi ka kritikuar edhe faktin se për më shumë se një muaj nuk ka ministër të Shëndetësisë.
“Qeveria Kurti është pa ministër të Shëndetësisë tash e 45 ditë. Por, kjo s’është hera e parë që kjo pozitë u la bosh. Qeveria Kurti ishte pa ministër të Shëndetësisë edhe 45 ditë tjera në vjeshtën e vitit të kaluar. Pra, 90 ditë Qeveria Kurti s’ka pasur ministër për dikasterin më problematik dhe që prek direkt qytetarët e vendit. Kryeministri sorollatet poshtë-e-përpjetë nëpër Evropë, e këtë vit 191 mjekë kanë ikur nga Kosova, atdheu i tyre. Shëndetësisë publike – pra, ajo shëndetësi që na takon të gjithëve, ajo shëndetësi e njerëzve që s’janë të pasur – i rrezikohet ekzistenca”, ka shkruar Halimi në Facebook.
Halimi ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk ka pasur rritje të pagës për mjekët që kanë mbetur ende në Kosovë.
Po ashtu, sipas saj nuk ka investimet kapitale për ndërtimin e hapësirave të reja shëndetësore.
Të gjitha këto çështje, Halimi i lidh me mungesën e buxhetit.
“E krejt këto mungesa të pashëndetshme s’janë rrjedhojë e mungesës së buxhetit. Mbi 700 milionë euro të taksave tona po flenë në arkën e shtetit, dhe po tkurren nga inflacioni. Krejt kjo e ka një shpjegim: Kosova e ka një kryeministër që prioritet i ka videoklipet e udhëtimet e kota. Ndoshta, pas ish-ministrit të shëndetësisë që fluturonte si kryeministri tash, radhën e ka një ministër i shëndetësisë që merret me video-montazha?”, ka shkruar Halimi.