Autoritetet bullgare kanë akuzuar pesë persona për dhënien e ndihmës për njërin prej të dyshuarve që kreu sulmin e fundjavës së kaluar në qendër të Stambollit.
Nga ky sulm në Sheshin Taksim u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 81 të tjerë.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha më 14 nëntor se policia e këtij vendi ka arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmin në Stamboll.
Në mesin e të arrestuarve, ishte edhe personi që ka vendosur bombën.
Turqia ishte goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse edhe më 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e kishin marrë grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë. Nga këto sulme janë vrarë mbi 500 civilë dhe personel i sigurisë.
Turqia për një kohë të gjatë lufton kundër militantëve kurdë – apo Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që njihet si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.