Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani, ka përdorur termin “terroristë medialë” në një reagim ndaj juristes së medias, Flutra Kusari, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë të reagojë përballë presionit të madh ndaj gazetarëve.
Zogiani ka akuzuar Kusarin se ka kontribuar në degradimin e sektorit medial, duke pretenduar se ajo nuk bën dallimin mes gazetarëve profesionistë dhe atyre që, sipas tij, përhapin shpifje e gjuhë të urrejtjes.
“Natyrisht që shteti mbron gazetarët, të të gjitha llojeve! Mirëpo, kjo këtu ka kontribuar më së shumti në degradimin e sektorit të medias, duke futur në një thes gazetarët dhe terroristët medialë”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, zëvendësministri ka pretenduar se një qasje e tillë i diskrediton mediat dhe rrezikon gazetarët profesionistë. Ai gjithashtu e ka akuzuar Kusarin se qëndrimet e saj ndaj gazetarëve varen nga përkatësia e tyre partiake.
“Gazetarët kjo i njeh si të tillë vetëm kur kanë një rreshtim të caktuar partiak”, ka shkruar Zogiani.
