Qeveria Kurti njihet për sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve dhe analistëve në Kosovë, sidomos kur nuk i ecën punët mirë.
Mbrëmë, zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka ka shpërndarë një video të një konference të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë kësaj konference, një gazetar i është drejtuar Vuçiqit me një pyetje rreth deklarimeve të analistëve kosovarë dhe raportimeve të mediave kroate e boshnjake.
“Analistët kosovarë po thonë që Kosova vetveten e ka sjellë në pozitë të palakmueshme dhe që ju keni dalë fitimtar, kurse mediat kroate dhe boshnjake po shkruajnë dhe thonë që Serbia sot në Bruksel është përulur. Si e komentoni këtë?”, ishte pyetja e gazetares për presidentin serb.
Manxhuka në përshkrimin e videos ka shkruar se analistët nga Kosova janë “burim frymëzimi dhe inspirimi për kolegët e tyre gazetarë në Serbi për pyetje e lavdata ndaj Vuçiqit”.
“Analistët nga Kosova, burim frymëzimi dhe inspirimi për kolegët e tyre gazetarë në Serbi për pyetje dhe lavdata ndaj Vuçiqit”, ka shkruar Manxhuka.
Kujtojmë që dje në Bruksel është mbajtur takimi trilateral Kurti-Vuçiq-Borrell. Ky takim përfundoi pa marrëveshje për targat, ndërsa më vonë me kërkesë të SHBA-së, Kurti e shtyu për 48 orë afatin për fazën e dytë të vendimit për targat.