Komisioni Ekzekutiv për Anëtarësimin e Kosovës në BE e ka miratuar qëndrimin zyrtar të vendit për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti.
Kjo u bë e ditur në takimin e parë të këtij komisioni, ku i diskutua edhe situata gjeopolitike dhe zhvillimet e tjera relevante.
“Në takim u tha se Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe se këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, thuhet në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur se anëtarët e komisionit diskutuan edhe për hapat e radhës të institucioneve vartëse deri te dorëzimi i aplikimit.
Ky komision ishte themeluar në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Kosovës dhe funksionon si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.