Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell ka folur nga Spanja mes tjerash, edhe për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat.
Ai i cili po qëndron në Spanjë në Forumin Rajonal ‘Unioni për Mesdheu’, tha se “nuk e di nëse kolegët e mi do të më lejojnë të përpiqem t’i përgjigjem të paktën asaj që është më aktuale, dhe në të cilën është përfshirë më së shumti Bashkimi Evropian – që është kjo marrëveshje e farkëtuar në orët e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Diplomati spanjoll tha se është shumë i lumtur me atë marrëveshje “sepse ne kemi luftuar që nga gushti i kaluar për ta arritur atë”.
“Ne ishim gati ta merrnim të hënën. Nuk ishte e mundur por, 48 orë më vonë, më vjen mirë që ai e ka rimenduar dhe që dy negociatorët nga Kosova dhe Serbia shkuan në Bruksel dhe mbrëmë, kur po zbarkoja në Barcelonë, munda të ndaj me ninistrin spanjoll se ka pasur një marrëveshje nën lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesit tim Special [për Dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak] i cili merret drejtpërdrejt me këto çështje. Të dy palët kanë arritur të arrijnë një marrëveshje dhe të pranojnë një propozim që bazohet në de-përshkallëzimin e krizës në mënyrë që të mund të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi, që është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Borrell.
Sipas tij, gjithashtu, të dyja palët kanë rënë dakord dhe kanë pranuar që ajo që është vendosur vite më parë duhet të zbatohet.
“Me fjalë të tjera, marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Në ditët në vijim, do të ftoj dy palët – Serbinë dhe Kosovën – të kthehen në Bruksel për të rifilluar diskutimin për procesin e normalizimit”, shtoi ai.
Mes tjerash, Borrell theksoi se se është një marrëveshje shumë e rëndësishme që na pengon nga një krizë e re që mund të gjeneronte dhunë në veri të Kosovës.
“Na shpëton nga një krizë. Me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, tani mund të ecim përpara në diskutimin e një propozimi që e kam vënë në tryezë, pas takimit urgjent në gusht, i cili ka mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë. Propozimi duhet të na lejojë që të mos kalojmë nga kriza në krizë, dhe nga shtrirja në shtrirje, nga problemet specifike, por të kërkojmë një zgjidhje të përhershme për një problem që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – këtë e dinë të gjithë – dhe se duhet të kalojë përmes një normalizimi të marrëdhënieve në kushtet që të dyja palët bien dakord”.