Rritje e të hyrave, ATK-ja mbledh mbi 200 milionë euro këtë vit

Rritje e të hyrave, ATK-ja mbledh mbi 200 milionë euro këtë vit

Zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi-Sefa tha se Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) brenda këtij katër mujori ka shënuar rritje të të hyrave prej 54.6 për qind më shumë se vitin 2020.

Bytyqi-Sefa ka treguar se totali i të hyrave që ka inkasuar ATK brenda këtyre katër muajve është 201.3 milionë euro.

“Nëse flasim për katër mujorin e parë të këtij viti atëherë Administrata Tatimore e Kosovës është duke përformuar jashtëzakonisht mirë, ku në vazhdimësi ka pasur tejkalim të të hyrave. Deri më tani kemi arritur që të mbledhim 201.3 milionë euro që rast se e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2020 atëherë ne kemi inkasuar më shumë për 54.6 milionë euro. Mirëpo nëse e krahasojmë më planet të cilat i kemi hartuar për këtë periudhë atëherë ne kemi arritur që të inkasojmë 15.8 milionë më shumë sesa është planifikuar për këtë katër mujor”, është shprehur ajo.

Sipas Bytyqi- Sefës ATK me këtë tempo të punës do të arrijë jo vetëm të përmbush projeksionet e parapara, por edhe t’i tejkalojë ato.

“Në bazë të këtij trendi dhe në bazë të kësaj ecurie të cilën është duke e mbajtur, këtë tempo të punës në fakt, besojmë që ATK do të arrijë që të realizojë planifikimet e parapara dhe zotimet të cilat i janë dhënë para Qeverisë së Republikës dhe besojmë që do të arrijmë të realizojmë projeksionin e paraparë njëkohësisht dhe të kemi edhe tejkalim”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, Bytyqi- Sefa ka pohuar se vendimet e ndryshme dalë nga Qeveria për shkak të pandemisë Covid-19 kanë ndikuar në të hyrat e ATK-së.

Kurse hapja e gastronomisë më 18 prill sipas Bytyqi- Sefës do ta jap efektin e saj pozitiv në muajin maj sa i përket të të hyrave të ATK-së.

“Vendimet e Qeverisë kanë prekur direkt bizneset kryesisht ato të gastronomisë pasi që kanë qenë duke punuar më orar të kufizuar dhe herë pas herë kanë qenë të mbyllura tërësisht dhe kjo sigurisht ka dhënë indikacion edhe tek ata për të kryer obligimet të cilat lindin si rezultat i veprimtarisë së tyre. Mirëpo pas lirimeve që janë bërë sigurisht trendi i pagesës së obligimeve që ata kanë është në nivel dhe efekti i tyre do të vërehet në muajin maj”, ka përfunduar ajo.

Related Articles