Gazetari e publicisti Fahri Musliu, ka komentuar spekulimet dhe konspiracionet rreth gjykimit të Albin Kurtit në kohën derisa ka qenë i burgosur politik në Burgun e Pozharevcit në Serbi.
Ai krejt këto i ka quajtur “trillime të ulëta” ndaj një njeriu “që është fizikisht i deformuar nga dhuna serbe e ushtruar mbi të”.
“Të akuzosh njeriun që është në burg, që ka përjetuar dajakun si shtazë, që është deformuar prej dajakut… A e ke pa si ecën Albini? Dhe t’i thuash atij se ai gjatë kohës së luftës ka qenë me vajzën e Sokoloviqit në Klinë, kjo është një imagjinatë e çuditshme. Unë habitem prej nga vjen”, është shprehur Musliu në Klan Kosova.
Ai gjithashtu tha se Albin Kurti nuk kishte dhënë intervistë pas lirimit nga burgu i Pozharevcit, por ai ishte marrë me zor nga Policia dhe Kryqi i Kuq.
“Unë kam reaguar për të, me fakte. I them datën kur është arrestuar, ku ka qenë në burg. Tash ia shohin për të madhe pse ka dhënë deklaratë për mediat e huaja. Nuk ka dhënë deklaratë. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka organizuar vizitën e ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Jankoviqit, në Burgun e Pozharevcit, kanë qenë jashtë ata, dhe gazetarët e pyesin dhe Albini që është i tillë, që flet, e di anglishten, është përgjigjur, nuk është intervistë”.
“Intervistën ma ka dhënë mua në vitin 2001, në burg, me kërkesën time ndaj ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Batiqit me lejen e Gjingjiqit dhe unë kam shkuar në Qupri, kam bërë intervistë me Albinin. Këto për mendimin tim janë bukur të ulëta. Albinin kanë shkuar e kanë marrë me zor Policia dhe Kryqi i Kuq, nuk ka dashtë me dalë Albini. Albini ka thënë nuk dal pa shokët e mi”, tha Musliu.