Kurti paralajmëron burrat që abuzojnë me gratë e tyre

Kurti paralajmëron burrat që abuzojnë me gratë e tyre

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj atyre që abuzojnë me gratë e tyre. Ai ka thënë se asnjë veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar.

“Asnjë nga këto pengesa nuk do të na e ndalë hovin tonë për t’u siguruar që nuk do të ketë as edhe një më shumë. Asnjë mos veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë gjithë, ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë, dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë”, tha Kurti në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili është mbajtur sot pasdite me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Kurti, për dhunën dhe vrasjen e grave, e ka fajësuar Prokurorinë dhe Gjyqësorin, duke i quajtur “sistem padrejtësie”.

“Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie”, ka thënë ai.

Related Articles