Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha sot se kryeministri i Kosovës Albin Kurti i solli serbët dhe shqiptarët “në cep të luftës” dhe njoftoi se për shkak të kësaj, Beogradi është afër vendimit për të kërkuar kthimin e trupave në Kosovë, sipas saj, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Çdo ditë shkelet jo vetëm marrëveshja e Brukselit por edhe marrëveshja e Kumanovës. Jemi afër që të kërkojmë kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-i nuk po e kryen punën e vet. Serbët nuk ndihen të sigurt, dhe janë të kërcënuar si fizikisht ashtu edhe për jetën, përfshirë kopshtet e fëmijëve”, tha Bërnabiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Ajo shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës do të prezantojë detaje rreth kësaj
Kryeministrja serbe ka vlerësuar se “gjithçka që bën Kurti është rrezik për serbët dhe shqiptarët, por edhe për Evropën”.
“Është politika e shekujve 18 dhe 19. Ajo ngjall ndjenja dëshpërimi. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar dhe ishte e vështirë të flija natën e kaluar”, tha ajo.
Bërnabiqi ka vlerësuar se Kurti nuk po bën asgjë i vetëm, por se ka pasur edhe “ndihmën e partnerëve në BE që nuk po përgjigjen”.
“Në BE nuk reagojnë ndaj asaj që po ndodh, ose reagojnë kur digjet deri në kockë. KFOR-i dhe EULEX-i nuk po e bëjnë punën e tyre, jo vetëm në përputhje me marrëveshjen e Brukselit por edhe me marrëveshjen e Kumanovës. Ata nuk i mbrojnë serbët në Kosovë as në jug e as në veri të lumit Ibër”, tha kryeministrja serbe Ana Bërnabiq.