Gjykata Themelore në Ferizaj, sot ka informuar se është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji ndaj një burri për veprën penale “Kanosja”.
I pandehuri V.A., siç ka bërë të ditur gjykata, më 26 nëntor 2022 në Shtime ka kanosur seriozisht përmes telefonit se do të privojë nga jeta ish-bashkëshorten e tij M.S., si dhe familjen e saj.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.A., më 26 nëntor 2022 në Shtime, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ka kanosur seriozisht përmes telefonit me fjalë se do të privoj nga jeta të dëmtuarën – ish bashkëshorten e tij M.S., si dhe familjen e saj, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve, ku edhe më herët kishin pasur probleme të vazhdueshme, me ç` rast të dëmtuarës i ka shkaktuar shqetësim, fikë dhe pasiguri. Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Me këtë rast, palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.