Bllokimi i rrugëve nga grupe kriminale në veri të vendit, sulmet me armë zjarri e bomba çorientuese ndaj Policisë së Kosovës, sulmi me shok bomba ndaj gazetarëve e ndaj patrullës vëzhguese të EULEX-it, ka tensionuar situatën në veri të vendit dhe ka pamundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave në dy Pikë Kalimet Kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Megjithatë, njohësi i sigurisë, Drizan Shala vlerëson se kjo situatë ka mundësi dhe potencial të eskalojë në përmasa më të gjëra dhe të cenohet drejtpërdrejt siguri nacionale në Republikën e Kosovës.
Shala ka thënë për Kosovapress, se çështja e tensionuar e situatës vjen nga vendimi i gabuar i Qeverisë.
Sipas tij, barrikadat e vendosur në disa pjesë në anën veriore lidhjen kryesisht me arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, me dyshimin për sulm me mjete shpërthyese.
“Çështja e situatës në veri është si rezultat i gabuar i vendimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse që nga përfundimi i çështjes për targa dhe filloi vendimi me faza, duke e ditur që në fazën e dytë patëm tensionim të situatës, intervenuan ShBA-të dhe u ulë tensionimi. Ne nënkuptuam se momentin që dhanë dorëheqje kryetarët e komunave në pjesën veriore duhet të kemi zgjedhje dhe bazuar në datën që ishte më 18 dhjetor që do të mbaheshin zgjedhjet, çështja e barrikadave tani lidhet kryesisht me arrestimin e ish zyrtarit policor të Policisë së Kosovës që ishte i dyshuar për sulëm ndaj rendit kushtetues. Në këtë aspekt barrikadat nuk kanë të bëjnë fare me aktivitetin zgjedhor të planifikuar më 18 dhjetor, dhe meqenëse presidentja vendosi të shtyhen zgjedhjet, kjo dëshmon se gjatë këtij intervali kohor duhet të ketë bashkëpunim në nivelin politik që të ulën tensionet dhe kështu të arrihet një marrëveshje përfundimtare me të dyja palët”, tha Shala.
Sa i përket çështjes se kush duhet t’i largojë barrikadat e vendosura në fshatin Rudarë te kryqëzimi, në Bistricë, Cerajë, Leposoaviq, Shala tha se më së miri do të ishte t’i largojnë ata që i kanë vendosur.
“Më së miri ata që i kanë vendosur duhet t’i largojnë barrikadat sepse më pastaj duhet të intervenojë Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, si mekanizëm i tretë i reagimit”, theksoi Shala.
Shala nuk mohoi faktin se mund të ketë mundësi për eskalim të situatës në veri.
“Situata është e tensionuar dhe ka mundësi dhe potencial të eskalojë në përmasa më të gjëra dhe të cenohet drejtpërdrejt siguri nacionale në Republikën e Kosovës, sepse në pjesën veriore kemi grupet kriminale, grupe të udhëhequra nga Beogradi zyrtar, por njëkohësisht kemi edhe strukturat shtetërore të cilat janë duke i mbështetur dhe përkrahur këto grupe të cilat janë duke penguar në çdo mënyrë lëvizjen e qytetarëve të Kosovës për tentativë dhe për një anarki institucionale dhe prishje të rendit kushtetues në atë pjesë”, shtoi Shala.
Gjatë ditës së djeshme presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve. Ajo ka thënë se zgjedhjet do të mbahen më 23 prill, 2023.
E para e shtetit ka treguar se vendimi për shtyrje ka ardhur edhe pas bisedave që ka pasur me zyrtarë të BE-së. Po ashtu, shtyrja e zgjedhjeve vjen pas situatës së tensionuar në veri të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se situata e përgjithshme e sigurisë gjatë natës së mbrëmshme në veri të vendit ka qenë e tensionuar.
KosovaPress ka bërë të ditur se dy shpërthime të fuqishme, një rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetra në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh. Megjithatë, Policia ka njoftuar se nuk ka zyrtarë policor apo qytetarë të lënduar.