Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka njoftuar se situata po vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale.
“Situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave”.
Në fund të komunikatës, Policia thotë se nuk janë të vërteta “spekulimet se zyrtarët në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb”.
“Policia e Kosovës e bazon punën në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime, andaj spekulimet e vazhdueshme nga mediat, kryesisht serbe, se gjoja zyrtarët policorë në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.”