Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur “Non Grata”, ish-Presidentin dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën dhe familjen e tij, duke përfshirë bashkëshorten, djalin dhe vajzën, raporton Gazeta Enigma.
Lajmin e ka bërë të ditur sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
“Aktet korruptive të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë jam duke shpallur publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të afërt si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, ka shkruar Blinken në llogarinë e tij në Twitter.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në listë të zeze e patën futur edhe familjen e ish-Presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
Pavarësisht se Millosheviqi dhe bashkëshortja e tij kanë Mirjana kanë vdekur, në listë të zezë vazhdojnë të jenë djali i tij Marko, vajza e tij Marija, si dhe vëllai Boris me bashkëshorten Milanka Milosheviq.
Lista e zezë përditësohet rregullisht disa herë në muaj nga Agjencia amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Financave.
Në këtë listë janë rreth 230 emra nga Ballkani, kryesisht nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Maqedoninë.
Në këtë listë të zezë të SHBA-ve, siç është raportuar edhe më herët, janë edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ai i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe profesori universitar Nuri Bexheti.
Në listën e përtërirë ka shumë individë nga Ballkani të cilët janë në shënjestër nga SHBA-të, ka edhe shumë të akuzuar dhe të dënuar të Hagës, siç janë: Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq, Vojislav Sheshelj, Goran Hadzic, Franko Simatoviq, Jovica Stanisic, Milan Martiq, Milani Lukiq dhe anëtarë të familjesë së tyre. /Gazeta Enigma/