“Jam i pafajshëm”, këto ishin fjalët e tij gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Hagë, për më shumë se dy vite.
Atje, Salih Mustafa, i njohur si Komandant Cali, u dërgua i pari nga ish-krerët dhe ish-pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si i dyshuar për krime lufte.
Cali ishte ndër të parët edhe në rezistencën kundër regjimit të Jugosllavisë, i cili ndër vite ushtroi represion ndaj popullit të Kosovës.
Si 16 vjeçar, qysh në vitin 1988, ai iu bashkua radhëve të të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim.
Nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut e Fadil Vatës, kishin një mision: Kosovën Republikë!
Një gjë e tillë pa dyshim që i pengoi regjimit shtypës të kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Si rrjedhojë, u dënua për organizim të kryengritjes së armatosur dhe mbajti 5 vite burg që nga viti 1993.
Nuk u lirua deri në gusht të 1997, e ato vite pa liri individuale, duket se ia fuqizuan edhe me shumë idealin për lirinë kolektive të popullit të Kosovës.
Komandant Cali u angazhua menjëherë në organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.
Aktivitetin e tij për lirin e vendit, i riu nga fshati Rimanishtë e Prishtinës, e vazhdoi duke udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së.
Ai ishte në krye të njësitit gueril BIA deri në themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.
Pas çlirimit të Kosovës, Cali shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.
Angazhimin për vendin e tij nuk e ndali në asnjë moment, kurse me 24 shtator 2020, ishte policia në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar që e arrestoi, për ta transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza e ngarkonte Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.
Në një proces gjyqësor kontrovers që nisi ndryshe e u zhvillua tjetërqysh, Cali u dënua.
Nga një Gjykatë e kontestuar në shumë dimensione, komandant Calit iu dhanë 26 vite burg.
Kjo u tha se po bëhet në emër të popullit të Kosovës, popullit, për lirin e të cilit, Cali e UÇK-ja u detyruan t’i kundërpërgjigjen regjimit millosheviqian.