Një 15-vjeçare nga Vitia doli nga shtëpia pa i lajmëruar prindërit për t’u takuar me një 23 vjeçar me të cilin po njiheshin.
Ata shkuan më pas në njërin nga motelet në periferi të qytetit, ku dyshohet se i rrituri kreu marrëdhënie seksuale me të miturën.
Familjarët e vajzës pasi nuk po mund të kontaktonin me të, e lajmëruan rastin në polici. Organet e rendit i gjetën të dy të enjten, derisa djali po e dërgonte të miturën në shtëpi dhe i shoqëruan në stacionin policor.
Aty 15-vjeçarja u intervistua nga punëtorët e Qendrës për Punë Sociale, ku deklaroi se e njihte të dyshuarin dhe se kishte dalë me të me vetëdëshirë.
“Familja e ka pranuar vajzën në shtëpi në mënyrë shumë të rregullt, me arsyetimin se e kanë fëmijë, ka gabuar dhe se nuk kanë asnjë qëllim të keq ndaj saj e se do ta përkrahin”, tha Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Viti, Demush Mehmeti.
Megjithatë 23-vjeçari u arrestua të premten dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Kurse ndaj tij është hapur rast për “dhunim”.