Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar sot se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “duke u tallur me kërkesën e Beogradit për kthimin e forcave të sigurisë serbe në Kosovë, po tallet edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
“Është e pabesueshme se si është që vetëm ato pjesë të marrëveshjeve dhe vendimeve ndërkombëtare që janë në favor të Serbisë, si dhe ato marrëveshje që duhet të zbatohen nga Prishtina, janë gjithmonë ‘qesharake’”, ka thënë Petkoviq, shkruan Danas.
Ai ka theksuar se e drejta ndërkombëtare mund të respektohet vetëm në tërësi, “dhe jo ashtu siç është mësuar Kurti, duke pranuar vetëm atë që i përshtatet”.
“Kurti duhet të mësojë një gjë – forca e së drejtës ndërkombëtare nuk është në fuqi, por në normat e saj, kështu që Kurti filloi të qeshte dhe të gënjejë shumë shpejt”, tha ai.
Kryeministri Kurti më herët gjatë ditës së sotme për gazetën gjermane ‘Spiegel’ ka vlerësuar se kërkesa e Beogradit për kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë në Kosovë është “qesharake” dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq në këtë mënyrë “dëshiron ta kthejë Serbinë në të kaluarën, por se i ka ikur treni”.