Kosova po harton një strategji shtetërore për të mbështetur apelimin e dënimeve të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ekspertët ndërkombëtarë thonë se mbështetja juridike mund të ndihmojë, por ndikimi i shtetit në rezultatin e apelit është i kufizuar. Përpjekjet për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara ngrenë po ashtu shqetësime tek ekspertët, të cilët paralajmërojnë për pasoja juridike dhe diplomatike për Kosovën, pa përfitime të qarta për të dënuarit.
Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përgatiten për një tjetër betejë juridike në Hagë – këtë herë për të kundërshtuar aktgjykimin që i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.
Në këtë përpjekje, ata pritet të kenë edhe mbështetjen e institucioneve më të larta të Kosovës, të cilat kanë nisur hartimin e një strategjie për t’i ndihmuar gjatë procesit të apelit.
Synimi i deklaruar është ndryshimi i aktgjykimit.
Por, sa mund të ndikojë një shtet në rezultatin e një procesi gjyqësor? Ku përfundon mbështetja e ligjshme dhe ku fillon ndërhyrja politike?
Ekspertët e së drejtës penale ndërkombëtare, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se mbështetja financiare dhe ekspertiza juridike mund të jenë të dobishme, por ndikimi i shtetit në rezultatin përfundimtar mbetet i kufizuar.
Ata identifikojnë disa çështje që mund të kundërshtohen në apel, por shprehin rezerva ndaj përpjekjeve për të ndryshuar ligjin mbi të cilin funksionon Gjykata Speciale.
Një strategji shtetërore, por pak hollësi
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të UÇK-së: ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Ekipet mbrojtëse e kundërshtuan aktgjykimin dhe paralajmëruan apelimin e tij. Afati për paraqitjen e njoftimeve të apelit është 27 nëntori.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës formoi një grup punues, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike gjatë kësaj faze të procesit.
Nisma mori mbështetjen edhe të presidentes Justina Shiroka Pula, e cila u takua me grupin punues, u informua për ecurinë e strategjisë dhe përkrahu bashkërendimin e veprimeve institucionale.
