Shkarkimet nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës u ndërprenë të shtunën në mesditë, por sipërfaqet e përmbytura në Qarkun e Shkodrës janë të mëdha. Emergjencat civile raportojnë për rreth 2.900 hektarë tokë nën ujë, me një rënie prej 100 ha në krahasim me ditën e shtunë.
155 banesa dhe stalla kanë prezencë uji në oborre. 2 shtëpi në Obot kanë prezencë uji në katet e para. Rruga e Obotit është ende e pakalueshme. Nga 1 metër niveli i ujit ka rënë në 50 cm. E pakalueshme është dhe rruga Darragjat-Shirq në njësinë administrative Dajç.
Banorët lëvizin me varka dhe mjetet e ushtrisë. Ujësjellësi Oblika 1 dhe Oblika 2 vazhdojnë të jenë jashtë funksionit. Në Qarkun e Lezhës 550 ha tokë janë ende të përmbytura, ndonëse nuk ka pasur reshje shiu. Kuotat e lumit Drin, Mat dhe Gjadër janë ulur në kuota normale
Hidrovori i Balldrenit, Tales dhe Shllinza janë në punë. Në Bashkinë Kurbin dhe Mirditë nuk raportohen probleme. /abcnews.al/