Ish-ushtaraku Hysni Gecaj vlerëson se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mundohet që të prezantojë popullatën serbe si të rrezikuar në Kosovë.
Gecaj, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se Vuçiq gjithmonë ka luajtur rolin e viktimës në sy të ndërkombëtarëve.
“Vuçiqi nuk është i gatshëm të hyjë në bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe finale mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të zgjidhet problemi njëherë e mirë”.
“Vuçiqi gjithmonë është munduar të luaj rolin e viktimës, ai edhe kur i është adresuar popullatës së vet është ankuar sikur Serbia është viktimë e presionit ndërkombëtarë. Edhe kësaj radhe Vuçiqi mundohet të prezantojë para ndërkombëtarëve se popullata serbe në veri të Kosovës është e rrezikuar nga institucionet kosovare. Por, kjo gjë dihet se nuk qëndron pasi institucionet e Kosovës nuk kanë shkaktuar kurrë ndonjë provokim apo të shkaktojnë incidente, përkundrazi popullata serbe ka qenë e privilegjuar” tha Gecaj.
Mes tjerash, Gecaj tha se Policia e Kosovës ka kapacitete për heqjen e barrikadave në veri, por për shkak të situatës së tensionuar duhet bashkëpunim me KFOR-in.
“Zgjidhja e kësaj situate nuk ka vetëm një mënyrë por ka disa, sigurisht se kjo do të shkojë në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. Nëse vlerësohet nga të dhënat e terrenit se situatë është e tensionuar KFOR-i do të ndërhyjë dhe do t’i heqë ato barrikada” tha Gecaj.