Protesta e serbëve në veri, policia: Mos bini pre e provokimeve të grupeve kriminale

Protesta e serbëve në veri, policia: Mos bini pre e provokimeve të grupeve kriminale

Policia e Kosovës në një komunikatë ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga serbët në veri të Kosovës.

“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të mundshme, duke ditur situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale

“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, përfundon komunikata.

Related Articles