Predrag Pantiq, djali i policit të arrestuar Dejan Pantiq, i cili u arrestua si i dyshuar për organizim të sulmit terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit, ka folur para protestuesve serbë në veri.
Ai ka thënë se babai i tij u arrestua vetëm pse është serb, raporton ekipi i Klan Kosovës nga protesta në Rudar.
“Është fajtor vetëm pse është serb. Populli në babanë tim e pa veten. Panë se nesër në vend të tij mund të jenë ata, fëmijët e tyre apo prindërit e tyre. Prandaj, sikurse në vitet e kaluara, dalja në barrikada është opsioni i fundit me shpresën për të ndalur dëbimin politik të serbëve në këtë zonë”, tha ai, raporton “Klankosova”.
“Nuk kemi asnjë dëshmi e as sqarim pse është arrestuar një i pafajshëm. Ata i shkelin të gjitha të drejtat e tij si i burgosur. Ne s’kemi asnjë kontakt me të, as e kemi parë e as kemi dëgjuar nga ai. Ata flasin se ai i ka të gjitha të drejtat dhe se është mirë. Por unë i pyes: pse s’i lejohet babait tim një thirrje të na thotë vetë se është mirë? Pse mbrojtësve tanë nuk u lejohet ta vizitojnë?”, tha Pantiqi.