Sot për të 14 ditë me radhë është bllokuar qarkullimi në veri të vendit për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupe kriminale.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në veri dhe vendosjen e barrikadave të enjten mbajti një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se barrikadat në veri kanë humbur kuptimin.
Sveçla, në një konferencë shtypi tha se arsyeja e vendosjes së këtyre barrikadave është arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, derisa shtoi se ka spekulime për shëndetin dhe trajtimin e tij.
“Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe po merr trajtimin e duhur. Ne kemi bërë kërkesën te partnerët që ai të transferohet në qendrat e paraburgimit nga stacioni policor. Largimi i barrikadave do ta mundësonte transferimin e tij lehtë dhe sigurt”, tha ai.
Sveçla ka thënë se pritjes për t’i hequr barrikadat nga KFOR-i po i vjen fundi.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt.Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj. Nëse kjo nuk ndodh, kemi kapacitete për ta bërë vet”, tha Sveçla.
Ministri i Brendshëm thotë se propaganda serbe ka rënduar situatën në atë pjesë të Kosovës.
“Një e pavërtetë që po përdoret është se Policia e Kosovës ka lista për të arrestuar persona të caktuar. Ne nuk kemi lista. Lista ka pasur Serbia, e cila e ka vrarë edhe Oliver Ivanoviqin”.
Sveçla thotë se Policia do ta zbatojë ligjin por ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, ndërsa ka folur edhe për gjendjen e zyrtarëve policorë në Jarinjë.
“Gjendja e zyrtarëve policorë në Jarinjë që kanë pasur sëmundje kronike janë tërhequr, derisa të tjerët mbetet aty në krye të detyrës”, ka deklaruar tutje Sveçla.
Ndërkaq, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX ka bërë të ditur se janë duke e monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës.
“Ne jemi duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë sonë të shtuar në terren. Pjesëtarët nga Polonia e Njësisë Policore të Specializuar tonë dhe pjesëtarët italian dhe lituanes nga Njësia e jonë Policore e Specializuar Rezervë nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë janë duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Edhe Bashkimi Evropian të enjten bëri thirrje për heqjen e barrikadave nga pjesa veriore e Kosovës dhe tha se është i angazhuar në lehtësimin e shtendosjes së situatës në këtë pjesë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët për të shtendosur situatën në pjesën veriore me qëllim të sigurimit të një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Bashkimi Evropian, së bashku me partnerët e tij, vazhdon të jetë plotësisht i angazhuar në lehtësimin e shtendosjes së situatës në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që të sigurohet një mjedis i qetë dhe i sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ishte i qartë, javën e kaluar, se barrikadat duhet të hiqen. Përfaqësuesi i Lartë dhe i dërguari i Posaçëm i BE-së, Lajçak, janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët dhe do të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç ka thënë edhe Përfaqësuesi i Lartë”, tha Stano, për RTV21.
Një javë më parë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së se është e papranueshme bllokada e rrugëve dhe personat e armatosur që shëtisin rrugëve dhe këtë nuk do ta pranojnë nga partnerët që aspirojnë të ardhmen evropiane.
Ndërkaq, të martën shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka njoftuar se ky mision i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Policisë së Kosovës për të furnizuar me ushqime e veshmbathje oficerëve të Policisë së Kosovës në pikat kufitare në Jarinjë.
“Me kënaqësi ju njoftoj se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, EULEX-i më 17 dhjetor, oficerëve të Policisë së Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Rudnicë/Jarinjë u ka dorëzuar furnizime esenciale, duke përfshirë ushqime, veshmbathje si dhe mjete higjienike”.Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se ka 9 pjesëtarë të saj, janë transportuar nga pikat kufitare në veri të vendit për në jug të Kosovës falë bashkëpunimit me misionin e KFOR-it .“Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme Policia e Kosovës mban edhe me KFOR-in, të cilët sot kanë përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policorë, të cilët për shkaqe shëndetësore kronike janë transportuar nga veriu në jug”, ishte shprehur Baki Kelani.
Ndërkaq, lidhur me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha se Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, “ku lojtari më i spikatur është Aleksandar Vuçiq”, por që tani Vuçiq nuk ka kontroll mbi të gjithë njerëzit e armatosur që qëndrojnë në barrikada.
“Ndikimi i Rusisë është më i madh se ndikimi i Beogradit kur bëhet fjalë për rrëshqitje të gjërave drejt konflikteve të armatosura”, ka thënë Janjiq.
Ai tha se për agjencinë “Beta” se në barrikada ka serbë nën detyrim të punës apo politik, por edhe njerëz të armatosur dhe të maskuar të kontrolluar nga shërbime të ndryshme të sigurisë serbe dhe të huaja.
E kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se në AGK, që nga vendosja e barrikadave, janë raportuar katër raste të sulmeve në drejtim të ekipeve të gazetarëve.“AGK-ja lidhur me këto raste është tejet e shqetësuar. Andaj u bëjmë thirrje sërish kolegëve tanë që të kenë kujdes përgjatë raportimit, si dhe t’i ndjekin udhëzimet e zyrtarëve policorë, që janë prezent atje”, tha drejtori i Bordit të AGK-së.