Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka debatuar me kryeministrin Albin Kurti në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës.
Musliu i është drejtuar Kurtit duke i thënë se shumë ministri po funksionojnë vetëm me ushtrues detyre.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, MASHT, Ministria e Drejtësisë, MPJD, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Industrisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Administratës e Pushtetit Lokal, dhe gjithashtu Ministria e Zhvillimit Rajonal”, kanë qenë disa nga ministritë që Musliu i ka përmendur kryeministrit.
Por, në fjalën e tij, kryeministri i vendit tha se për MAShT një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi ka sekretare aty.
“Së pari deputetja Musliu për MASHT s’ështe e vërtetë, pra ju po flisni kur i keni marrë të dhënat, po ku e di unë kur i keni marrë të dhënat. Unë i di shumë gjëra, por nuk e di kur i keni marrë të dhënat. Nuk është e vërtetë për MASHT qe është me ushtrues detyre”, tha Kurti.
Deri sa Musliu e ka quajtur fillimisht Kurtin “filozof”, ka ndërhyrë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca duke iu drejtuar me ironi deputetes së PDK-së se nuk duhet t’i ‘përzihet’ në profesion pasi që, sipas tij “të filozofosh është punë e madhe”.
Kur Musliu mori sërish fjalën, në foltoren e Kuvendit i kërkoi falje Konjufcës duke thënë se “po duhet t’i them filozof këtij hajgarexhisë këtu se ky ka thënë se 40 për qind e popullatës janë analfabetë, andaj edhe flet në mënyrë që ata të mos e kuptojnë në mënyrë që të arsyetohet”.