Konfliktet verbale mes pjesëmarrësve në trafik nuk janë të rralla në vendin tonë dhe shpesh përcillen edhe me incidente. Shumë herë Policia e Trafikut detyrohet të dalë nëpër rrugët kryesore dhe të mbajë rregullin e rendin, si pasojë e mosmarrëveshjeve që mund të krijohen nga shoferët.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë, por këtë herë viktimë është një zyrtar policor, i cili u përballë me kërcënimet e një të riu, në fshatin Mazgit të Obiliqit.
Siç mëson Sinjali rasti ka ndodhur pak para mesnatës, kur polici bashkë me gruan e tij, e cila po ashtu është police, ishin në drejtim të fshatit Bërnicë, papritmas u përballën me shoferin e një veture, i cili dyshohet t’iu ketë thënë fjalë kërcënuese, pas një mosmarrëveshje në komunikacion.
Përballë kësaj situate, ashtu siç e ka detyrim ta denoncojë rastin, zyrtari policor njoftoi Policinë dhe bashkë me bashkëshorten kanë dhënë deklaratë para hetuesve për atë që kishte ndodhur. Kjo aktivizoi Policinë, me ç’rast personi i dyshuar u identifikua.
I njëjti, sipas burimeve të Sinjalit është paraqitur vet në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që ndaj tij të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kanosje”.