Patriarku serb Porfirije nuk lejohet të hyjë as sot në Kosovë

Patriarku serb Porfirije nuk lejohet të hyjë as sot në Kosovë

Policia e Kosovës sërish ia ka ndaluar hyrjen patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) Porfirije që të hyjë në Kosovë përmes Merdarit, ku ai ishte nisur edhe përkundër njoftimit të MPJ-së se atij nuk i lejohet hyrja pa u distancuar nga dhuna në veri të Kosovës.

I njëjti kishte mësyrë Kosovën edhe ditën e djeshme, por që ishte përballur me të njëjtën përgjigje nga autoritetet e Kosovës.

Porfirije ka qëndruar për disa minuta në pjesën kufitare që e kontrollon Policia e Kosovës, e më pas është kthyer në Kurshumli, raporton “Kosovo Online”.

MPJD-ja publikoi sot letrën në të cilën tregon arsyen pse Porfirijes nuk po i lejohet hyrja në Kosovë. Aty thuhet se nuk i është refuzuar kërkesa për hyrje, mirëpo kërkojnë nga ai, gjegjësisht nga KOS-i, “të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje”, shkruan Klankosova.tv.

“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar, siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat serbe, por është ndërlidhur distancimin nga aktet e dhunës dhe veprimet e lartpërmendura”.

“Një qëndrim i tillë i institucioneve të Kosovës është determinuar nga fakti që prifti ortodoks Predrag Popoviq, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas në Rakovicë, afër Beogradit, ditë më parë kishte pranuar publikisht se ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar ilegalisht kufirin e Republikës e Kosovës dhe duke përdorur rrugët anësore –sipas tij për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it, i kishte vizituar dhe përkrahur protestuesit në barrikadat në Leposaviq”, thekson MPJD-ja në njoftim.

E patriarku, pak pas orës 14.30 është kthyer nga pika kufitare e Merdarit.

Pas kontrollit rutinë nga policët kufitarë serbë, automobili i patriarkut Portfirije dhe bashkëpunëtorëve të tij është larguar nga kolona, ndërsa udhëtarëve u është thënë “të presin”.

Pas dyzet minutash pritjeje, Porfirijes nuk i është lejuar hyrja në Kosovë, pas çka ata janë kthyer në Serbi.

Ndërkaq, moslejimin e hyrjes në Kosovë të patriarkut Porfirije e ka konfirmuar në një prononcim për “Kosovo Online”, edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se “me këtë, dhuna e Kurtit ndaj popullit serb ka marrë përmasa të papara”. 

Related Articles