Qeveria ka miratuar themelimin e një grupi punues për mbështetjen institucionale në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Zëvendëskryeministri Glauk Konjufca u caktua kryesues i këtij grupi punues, i cili, siç tha kryeministri Albin Kurti, do të punojë për bashkërendimin e mbështetjes së shtetit në procesin e Apelit. Vendimi vjen pasi Gjykata Speciale në Hagë më 16 shtator i shpalli fajtorë, duke i dënuar për krime lufte me nga 13 deri në 25 vjet burgim, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
“Për këtë arsye, sot po themelojmë grupin punues, të kryesuar nga zëendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional e parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Në këtë mënyrë, sipas Kurtit po konkretizohet zotimi i Qeverisë për t’u angazhuar për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.
“Me këtë vendim, po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, tha ai.
