Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, pas vendimit të Prokurorisë Speciale për ndërrimin e masës së ish-policit serb të arrestuar, Dejan Pantiq.
KPK-ja përmes një komunikate për media të mërkurën ka thënë se këto reagime janë tendencë për ndërhyrje në punët e sistemit prokurorial të Kosovës.
“KPK vlerëson që reagimet e tilla të kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës Po ashtu, KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e Kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, nga se kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij”, thuhet në reagimin e KPK-së.
KPK-ja u ka bërë thirrje Kurtit dhe vartësve të tij që të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, duke theksuar se tentativat për ndërhyrje do të mbesin vetëm si të tilla.