Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak kundër katër të dyshuarve, të cilët u arrestuan të martën në një lokal në fshatin Zhur duke zhvilluar lojëra të fatit.
Gjykata ka arsyetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
“Nga provat materiale siç janë çipat që shërbejnë për lojërat e bixhozit, të hollat e gatshme, letrat në dorëshkrime, shifrat të parave me të cilat është luajtur bixhoz dhe shikimi në shkresat e lëndës me çka janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës” – thuhet në arsyetim të vendimit.
Gjykata ka konsideruar se po të lihen në liri të dyshuarit mund të ndikojnë te dëshmitarët eventualë, bashkëkryesit e tjerë apo te familjarët e tyre andaj ekziston rreziku që deklarimet e tyre të ndryshohen – gjë që do ta pengonte hetimin dhe gjetjen e të vërtetës.
“Ekziston baza e ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak ku duke pasur parasysh peshën e veprës penale dhe rrethanat që janë kryer veprat, të pandehurit i kanë kryer veprat penale në dëm të shoqërisë” – përshkruhet në vendim.
Gjykata ka vlerësuar masat e tjera por gjeti se arresti shtëpiak në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Arresti shtëpiak u aprovua nga gjykatësi i procedurës paraprake Luan Berisha.