Një rast ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Vushtrri, ku djali 25-vjeçar, ka kanosur seriozisht prindin e tij.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari E.E., e ka kanosur babain e tij dy herë brenda ditës, çka e detyroi Prokurorin e Shtetit të nxjerrë aktvendim për ndalim policor dhe inicim të rastit ndaj tij.
Fillimisht, i dyshuari ishte arrestuar në orët e mëngjesit në shtëpinë e tij, pasi ishte denoncuar nga babai i tij, nën dyshimet se e kishte kërcënuar me vrasje, nëse nuk ia jep 200 euro. Paratë u bënë mollë sherri mes tyre, ashtu që zënka eskaloi kur i dyshuari mori një armë dhe iu drejtua babait se ”nëse nuk më jepni çka më takon, e vras veten ose juve”.
Përballë kësaj situate, viktima u detyrua ta njoftojë Policinë, me ç’rast i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, por më pas u lirua me urdhër të Prokurorit.
Problemet aty nuk mbaruan pasi i dyshuari e kërcënoi sërish babain e tij për shkak se e kishte raportuar në Polici. Një telefonatë e tij me mesazhin se “do t’i vras dhe do ta kalli shtëpinë” alarmoi sërish viktimën dhe njoftoi përsëri Policinë.
Këtë herë, i dyshuari nuk i shpëtoi prangave të Policinë, me ç’rast Prokurori urdhëroi riintervistimin dhe caktimin e masës së ndalimit policor për veprën penale “Kanosje”.