Vuçiqi “zbutet”, gjermanët propozojnë ngrirjen e fondeve për Serbinë

Vuçiqi “zbutet”, gjermanët propozojnë ngrirjen e fondeve për Serbinë

Presidenti i Serbisë udhëheq një politikë që dëmton BE-në, rajonin dhe vetë serbët, shkruan revista gjermane Zeit. Aty shkruhet se statusi i kandidatit dhe fondet nga Bashkimi Evropian duhet të ngrihen derisa t’i vendosen sanksione Rusisë dhe të fillojnë negociatat serioze me Kosovën.

Para Vitit të Ri ishte kërcënim një “konflikt ushtarak” mes Serbisë dhe Kosovës, por situata u qetësua, shkruan revista e përjavshme gjermane Zeit. Është vetëm çështje kohe që tensionet të intensifikohen sërish.

“Kur flasim për shkaqet, shpesh futemi në detaje të politikës ballkanike: targa, dokumente personale dhe banalitete të tjera. Është një shpërqendrim, një tym për të fshehur thelbin. Dhe në fund të fundit është gabim dramatik i BE-së në këtë rajon”, thuhet më tej në opinionin e shkruar nga gazetari Ulrich Ladurner.

“Për vite me radhë, BE-ja ka ndjekur një politikë që mund të përmblidhet si më poshtë: Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor. Pa Serbinë nuk ka stabilitet rajonal. Nëse anëtarësohet në BE, do të tërheqë me forcë pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ne përpiqemi të vendosim marrëdhënie të mira me këtë vend, pavarësisht se kush sundon në Beograd”, thuhet në tekst.

Në komentin e tij, Ladurner shkruan se Vuçiq ende refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Këtu është gjëja më e rëndësishme: Është Vuçiq ai që po e nxeh konfliktin me Kosovën vazhdimisht për të nxjerrë kapital politik prej saj. Është një lojë e rrezikshme. Duke vepruar kështu, ai jo vetëm rrezikon konflikte të dhunshme, por bllokon edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, shkruan Zeit.

Sipas asaj që shkruan Zeit, Vuçiq “reagon vetëm ndaj presionit”. Gazetari Ladurner kujton në shkrimin e tij se si Serbia e ndryshoi politikën e vizave në vjeshtë kur u kërcënua me sanksione nga Brukseli dhe Berlini.

“Ndëshkimi i Serbisë – sigurisht që tingëllon i ashpër,” vazhdoi Ladurner. “Por BE-ja në veçanti mësoi vitin e kaluar, dhe jo me vullnetin e saj, se do të merret seriozisht vetëm nëse është e ashpër dhe e gatshme për të shkaktuar dhimbje te të tjerët.”

“Nuk bëhet fjalë për dënimin e Serbisë, por për Aleksandar Vuçiqin që duhet ta paguajë çmimin e politikës së tij. Nëse nuk i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, nëse nuk ndalon së nxituri konfliktin me Kosovën, nëse nuk ulet për të filluar negociata serioze me Kosovën – atëherë statusi i kandidatit të Serbisë duhet të ngrihet dhe ndihma financiare për BE-në duhet të përfundojë”, shkruan autori.

Related Articles