Bergita Curri është gruaja që ekzaminon viktimat e dhunimeve seksuale në Kosovë, ku nëpër dorën e saj kanë kaluar raste ndër më të tmerrshmet të dhunimit të të miturve.
Curri thotë se më së shumti raste të tilla kanë ndodhur nëpër familje, në shtëpitë e viktimave apo edhe të dhunuesve.
Janë plotë 100 viktima të dhunës seksuale që brenda një viti kanë raportuar rastet e tyre, por që besohet se ky numër mund të jetë jashtëzakonisht më i madh. Pas ekzaminimit të tyre, viktimat mbetën në mëshirën e fatit pa përkrahje institucionale.
Dhuna seksuale cilësohet të jetë një prej krimeve më së paku të raportuara në Kosovë.
Bergita Curri, specialiste në këtë institucion ka treguar në detaje lidhur me ecurinë e punës që rrjedh gjatë ekzaminimit që i bëhet një viktime të dyshuar për dhunë seksuale.
“Ne jemi në kujdestari prej 24 orëve në 7 ditë të javës. Në çfarëdo kohe mjeku kujdestar vjen edhe e bën ekzaminimin në mënyrë që të mos humbet kohë e cila është shumë e vlefshme për ruajtjen e provave që janë thelbësore për rastet e dhunës seksuale. Ne mandej e dërgojmë raportin te Prokurori dhe Policia dhe ata i ndjekin procedurat e mëtejme”, tha Curri.
Për ekzaminimin e dhunës seksuale ky institucion ka pranuar viktima duke filluar nga mosha 2-3 vjeçare. Derisa, sipas Currit, fëmijët e moshave më të prekura janë nga 11 deri në 16 vjeç.
“Ne kemi pasur viktima prej moshës 2-3 vjeçare e deri në moshat e shtyra. Ka numër të caktuar të këtyre rasteve. Statistikisht neve na kanë rezultuar që grupmoshat më të prekura janë prej 11 deri në 16 vjeç. Në mesin e tyre ka nga të dy gjinitë që janë të prekura nga dhuna seksuale”, theksoi Curri.
Fëmijët, viktima të dhunës seksuale dërgohen në Institut në gjendje të rënduar psikologjike, të frikësuar e me ndjenjë të fajit.
Specialistja Curri ka përmendur edhe detaje gjatë ekzaminimit që i bëhet viktimës, e që ka raste kur gjatë rrëfimit të tyre për dhunën e përjetuar, viktimat fillojnë të qajnë dhe të çrregullohen edhe emocionalisht.
“Ajo që i bashkon të gjitha viktimat e të gjitha gjinive dhe moshave është trauma. Personat që vijnë për ekzaminim zakonisht janë në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike, ata janë të frikësuar dhe kanë ndjenja të turpit, të fajit shumë herë. Nganjëherë është edhe shumë vështirë me vendos komunikimin me ta sepse duhet kohë me tentuar me marrë historikun se çfarë ju ka ndodhur. Ka raste që gjatë tregimit të historikut, viktima fillon me qajt ose të çrregullohet emocionalisht sepse është e vështirë me përsërit sërish ngjarjen e cila është traumatike dhe duhet të kohë me i qetësuar”, tha Curri.
Frika nga paragjykimet ka shtyrë shpeshherë viktimat ta mendojnë edhe vetëvrasjen.
“Ne kemi raste kur viktima na thotë unë kam tentuar të bëj vetëvrasje ose nëse merret vesh se çka më ka ndodh unë kam me bërë vetëvrasje”, theksoi ajo.
Curri ka theksuar se dhunuesi në 80% të rasteve dhunuesi është i njohur për viktimën pasi sipas saj, vendi i kryerjes së dhunës janë shtëpitë ku ndodhin ato.
“Ajo që është statistikisht e vërtetuar është se dhunuesi në diku rreth 80% të rasteve është i njohur për viktimën. Do të thotë është partneri, ose ish-partneri ose një shok i shkollës, apo dikush që ka marrë një fotografi të tyre dhe e shantazhin viktimë. Sipas statistikave vendi ku zakonisht ndodh dhunimi është shtëpia, qoftë e viktimës, dhunuesit apo e ndonjë personi të njohur”, u shpreh Curri.
Krahas kësaj, për specialisten Bergita Curri mbetet shqetësues fakti i mos raportimit i viktimave për dhunën seksuale.
Por, që sipas saj ky numër vlerësohet të jetë më i madh pasi në Kosovë viktimat ende hezitojnë t’i raportojnë këto raste për shkak të paragjykimeve nga familja dhe komuniteti.
Curri thotë se pas ekzaminimit që i bëhet, viktima e dhunës seksuale në Kosovë mbetet në mëshirë të fatit. Kjo pasi institucionet e vendit ende nuk kanë ndërtuar një mekanizëm që u mundëson këtyre viktimave të marrin trajtim të mëtejmë.