Njësoj si në luftërat tjera që nga koha kur Hamasi e mori kontrollin në Gaza më 2007, të dyja palët e konfliktit po pretendojnë se kanë fituar, shkruan BBC, transmeton Gazeta Enigma.
Një lider i lartë i Hamasit i tha BBC-së në Gaza se Izraeli ka premtuar se do t’i largojë duart nga Xhamia Al-Aqsa dhe lagjja Sheikh Jarrah, por Izraeli mohoi se ka marrëveshje për këtë.
Mijëra palestinezë dolën rrugëve të premten në mëngjes pas hyrjes në fuqi të armëpushimit. Shumë prej tyre konfliktin po e vlerësojnë si të kushtueshëm por fitore të qartë për Hamasin, transmeton Gazeta Enigma.
Megjithatë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Bennt Gantz, tha se pas 11 ditëve të konfliktit, Izraeli mund të tregojë arritje të pashembullta ushtarake në shkallë dhe strategji për përballjen me organizatat terroriste në Gaza.
Ndryshe nga deklaratat e liderëve, të mbijetuarit e sulmeve në të dyja anët nuk po shpallin fitore, por po i vuajnë pasojat e luftimeve. Numri i të vrarëve dhe të lënduarve është dukshëm më i lartë në anën palestineze. Në Gaza janë shkaktuar edhe miliona dollarë dëme në infrastrukturë nga sulmet ajrore.
Kjo ishte lufta e katërt mes Izraelit dhe Hamasit. Deklarata të ngjashme për fitore ka pasur nga të dyja palët edhe në të kaluarën, ndërsa më pas mbillet fara e konflikteve të mundshme në të ardhmen./Gazeta Enigma/