Konfliktet në familjet kosovare për motive shpesh edhe banale janë raste që jo rrallëherë përfundojnë edhe në Polici. Prindër, motra e vëllezër kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i zgjidhur problemet që lindin mes tyre dhe për pasojë eskalojnë në sharje, ofendime e kërcënime.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Pejë, ku janë përfshirë dy vëllezër, njëri prej të cilëve dyshohet për kanosjen e tjetrit.
Sinjali mëson se i dyshuari F.H., po dyshohet se për motive akoma të panjohura, e ka kërcënuar seriozisht vëllain e tij, duke e paralajmëruar se do ta pësojë keq.
Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë në Polici, vëllai i tij e ka kanosur duke i thënë se “ki mu thy n’dy pjesë o budallë, krejt robtë kam me t’i q*”. Përveç kësaj, burimet thonë se i dyshuari i ka dërguar vëllait edhe mesazhe si “mos m’bo me dalë prej vetes, veç ni pullë m’vynë mem prekë mu…”.
Përballë këtyre kërcënimeve, viktima është ndjerë i shqetësuar dhe i frikësuar dhe për këtë arsye ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen.
I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.