Dy anëtarë republikanë të Kongresit amerikan i kanë kërkuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë për të cilët ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndë.
Kërkesa vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta të vazhdueshme kundër qeverisë.
Sipas një raportimi të publikuar nga Fox News, kongresmenët Joe Wilson dhe Keith Self, ky i fundit kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, i kanë dërguar një letër Rubios, në të cilën shprehin shqetësimin për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.
Në letër, ata theksojnë se Shtetet e Bashkuara kanë investuar në reformën në drejtësi në Shqipëri dhe se kanë interes që institucionet e krijuara në kuadër të saj të funksionojnë në mënyrë të pavarur.
Wilson dhe Self i kërkojnë Departamentit të Shtetit të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të autoritetit që i jep seksioni 7031(c) i legjislacionit amerikan për financimin e operacioneve të jashtme.
Kjo dispozitë u mundëson autoriteteve amerikane t’i shpallin publikisht të papërshtatshëm për hyrje në SHBA zyrtarët e huaj dhe familjarët e tyre të afërt, kur ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndë.
Megjithatë, kërkesa e kongresmenëve nuk nënkupton se është marrë vendim për vendosjen e sanksioneve, por i bën thirrje administratës amerikane të vlerësojë nëse janë përmbushur kushtet ligjore për një veprim të tillë.
Në letrën e tyre, Wilson dhe Self kërkojnë përgjigje deri më 5 nëntor për katër çështje: shqyrtimin e mundshëm të kufizimeve të vizave, mbështetjen amerikane për reformën në drejtësi, angazhimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për mbrojtjen e protestuesve dhe gazetarëve, si dhe zhvillimet lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Fox News, kongresmenët i referohen hetimit ndaj Ballukut për ndërhyrje të dyshuar në procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e rrugëve.
Ata shprehin shqetësimin se institucionet kundër korrupsionit nuk mund të jenë efektive nëse zyrtarët nën hetim mbrohen nga drejtuesit politikë.
