Mediumi slloven ‘Prava’ ka publikuar një artikull e cila ndërlidhet me aferën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Aty implikohet edhe kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja si dhe financimet për fushatë ndaj këtij subjekti politik.
“Prava” ka zbuluar të dhëna të reja ku pretendohet se rreth 100 milionë euro u shpëlanë nga kompania GEN I me ‘kontabilitet kreativ’ në mesin e tyre i përfshirë edhe diplomati Berishaj.
Madje, ky medium ka publikuar të dhëna të fundit për transaksionet të dyshimta dhe aty zbulohet se bohet fjalë për qindra miliona euro nga GEN’i në kompani të ndryshme.
Prava raporton se kanë siguruar qasje në atë që ata i referohen si “kontabiliteti kreativ akrobatik të diskutueshëm të shitësit më të madh të energjisë elektrike GEN-I”.
“Ne pa dashje u vumë në dijeni për transaksionet e GEN-I në filialet e huaja në Sarajevë (BiH), Tiranë (Shqipëri) dhe Beograd (Serbi)”, thuhet në artikull.
“Kemi vënë re se në vitet 2015-2021 kanë transferuar gati 100 milionë euro në tre filialet e tyre të huaja. Nga këto, 60 milionë euro janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë për të paguar për zbatimin e operacionit bankar financimi i faturave. Në Shqipëri, me shumë gjasa e kanë mbuluar humbjen e filialit shqiptar me një operacion të dyfishtë financiar të kryer në vitin 2021”.
“Për këtë kanë shpenzuar 14 milionë euro! Më në fund, vijmë në GEN-I Beograd”.
Në vitin 2019 dhe 2020 GEN-I ka kryer disa transferta në vlerë prej disa milionë eurosh për qëllime të funksionimit të bankës së financimit të faturave në degën e saj në Beograd, vijon shkrimi.
Mediumi bën ndërlidhjen mes dërgesave të parave nga GEN-I në Slloveni për te filialet në Beograd dhe më pas pagesat nga Beogardi direkt për në kompaninë e Martin Berishajt “MB Consulting”.
“Është veçanërisht e rëndësishme të shikoni datat. Siç e keni vënë re në të dhënat e mësipërme, të gjitha transaksionet nga GEN-I slloven në filialin serb në Beograd kanë ardhur në vitin 2019. Nga janari 2019 deri në shtator 2020, Martin Berishaj ka bërë disa tërheqje cash në shumën prej 600 mijë eurosh nga llogaria e kompania e tij malazeze MB Consulting””.
“Gjatë kësaj periudhe, kompania sllovene GEN-I ka transferuar 4 milionë e 183 mijë e 834 euro përmes transaksioneve me derivateve financiarë nën etiketën financim ‘Fatura’ nga janari deri në dhjetor 2019. Ka shumë të ngjarë që një pjesë e parave të tërhequra të Martin Berishaj të ketë ardhur përmes remitancave sllovene gjatë kësaj periudhe”.
Mes tjerash, ‘Prava’ ka bërë edhe një ndërlidhje mes transaksioneve të GEN-I dhe fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëm në rrafsh supozimi dhe pa ndonjë informacion konkret.
“Ka pasur disa sugjerime dhe informacione se paratë janë transferuar nga njëra nga filialet e GEN-I jashtë vendit për fushatën zgjedhore të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe se një pjesë e parave i ka shkuar një organizatë jo qeveritare”, thuhet në tekst.
“Disa burime na lajmëruan për një sekuencë shumë interesante të ngjarjeve që ndodhën në vitin 2021. Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në Kosovë në vitin 2021 dhe ne patëm një referendum për ujin në Slloveni. Në pamje të parë, të dy rastet nuk duken të lidhura derisa të arrijmë te shtetasi amerikan Arun Chaudhary. Në referendumin për ujin, gjithë lavdinë mediatike e morën aktivistët me në krye Nika Kovaçin e 8 marsit”.
Shkrimin e këtij mediumi mund ta lexoni të plotë këtu.