Një përleshje mes të burgosurve ka ndodhur të martën në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një i burgosur është sulmuar fizikisht nga dy të tjerë.
Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).
“Në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka ndodhë një përleshje mes të burgosurve, dy të burgosur, kanë sulmuar një të burgosur tjetër”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi.
Sipas tij, i menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit korrektues, të cilët i kanë marr të gjitha masat e nevojshme dhe kanë vënë situatën nën kontroll.
“Për rastin janë njoftuar Policia, i burgosuri i lënduar ka marr ndihmën mjekësore, ndërsa dy të burgosurit tjerë janë veçuar dhe ndaj tyre do të merren masa konform shkeljeve ligjore”, ka thënë tutje Gashi.
Në fund, ai ka bërë të ditur se të burgosurit nuk kanë pasur lëndime të rënda dhe se për momentin nuk dihet motivi i përleshjes.