Zymer Bytyqi është futbollisti i radhës që ka filluar shkëlqimin në elitën e futbollit turk. Ylli nga Kosova iu bashkua në janar skuadrës së madhe turke Konyaspor, ku ka filluar të lë gjurmë të mëdha, shkruan Gazeta Enigma.
Falë paraqitjeve fantastike të tij, Bytyqi u bë shënjestër e tri Kombëtareve, me ç’rast Kosova dhe Shqipëria e kërkuan, por së fundmi interesim kishte shprehur edhe Norvegjia.
Megjithatë, 24 vjeçari tashmë e ka ndarë mendjen për ta përfaqësuar ekipin e “Dardanëve” dhe këtë e ka konfirmuar edhe në një takim me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ai ka thënë që qysh moti e ka bërë këtë zgjedhje, ngase zemra gjithmonë i ka rrahur për fanellën dardane dhe tashmë pret me padurim ta japë kontributin e tij për Kosovën.
24 vjeçari do të jetë pjesë e “Dardanëve” për takimet e qershorit.