Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka mohuar pretendimet e ish-këshilltarit të Thaçit, Adil Behramajt, për dorëheqje nga Vetëvendosje. Behramaj ka shkruar sot se Muja pritet të dorëhiqet nga VV’ja, meqë siç pretendon Behramaj partia nuk e ka emëruar si anëtar të Bordit të Këshillit Shtetëror për Cilësi.
Armend Muja ka thënë se Behramaj e ka gabim, derisa ka potencuar se sa i përket Bordeve, VV dhe ai si deputet janë të përkushtuar për të mos emëruar njerëz të politikës.
“Adil Behramaj është gabim! Pikëpamja e tij për Bordet është e ndërtuar nga përvoja e tij politike në PDK! Deputetët nuk mund të jenë në Borde! VV dhe unë jemi të përkushtuar për Borde apartiake dhe kam besimin e plotë tek përzgjedhjet e Ministres Nagavci”, tha ai.
Pak më parë, Behramaj në një postim në “Facebook”, ka shrkuar se Armend Muja pritet të japë dorëheqje për shkak të mos emërimit të tij në Bordin e KShC-së.
“Shpërthejnë pakënaqësitë në Lëvizjen Vetëvendosje. Armend Muja pritet të japë dorëheqje, pasi që nuk qenka emëruar në Bordin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë Kosovare të Akreditimit. Pritjet më të mëdha se të ardhurat e deputetit!”, ka shkruar ai.
Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka votuar sot për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Katër anëtarët vendor të emëruar janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Seb Bytyçi dhe Krenare Pireva-Nuçi.
Teksa anëtarët ndërkombëtarë janë: Alison Felce, Cassie L. Bernhardt dhe Werner J. Stueber.