Ish-kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që tha se “qeverisjet e kaluara dhe sistemi prokurorial me në krye ish-kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesim për trajtimim serioz të krimeve të luftës në Kosovë”.
“A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim? A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK? A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ndaj kësaj ka reaguar Lumezi.
Lumezi ka thënë se janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte e janë dëgjuar me qindra dëshmitarë dhe të dëmtuar.
“Kemi ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve – vijës komanduese të këtyre veprave penale. Pas arrestimit të të dyshuarave, janë ngritur dhjetëra aktakuza dhe kemi pasur gjykime të suksesshme. Gjatë vitit 2018 kemi transferuar nga EULEX-i 918 lëndë të krimeve të luftës të natyrave të ndryshme dhe 2000 lëndë të personave të zhdukur. Në vitin 2019 kemi rritur numrin e prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë e Speciale të Republikës së Kosovës dhe po të njëjtin vit është nxjerrë Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Për identifikimi e këtyre rasteve kemi rritur bashkëpunimin me OJQ-të te cilat kanë mbledhur informacione për krimet e luftës dhe kemi intervistuar individët të cilët kanë informacione për këto raste. Kemi punuar edhe me dëshmitarë të cilët vazhdimisht janë duke dëshmuar në Prokurori. Kemi ngritur edhe bazën e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe e kemi harmonizuar këtë databazë me atë të Policisë së Kosovës”.
Lumezi ka thënë se deklarimet e ministres Haxhiu “shpërfaqin mosnjohuri të plotë të veprimeve të ndërmarra nga institucionet e drejtësisë, përkatësisht, Prokurori i Shtetit, duke minimizuar të gjitha të arritura shtetërore dhe institucionale nga koha e marrjes se kompetencave nga EULEX-i tek institucionet vendore”.