Kryeministri i vendit Albin Kurti, në një reagim të tij, në gjuhën serbe, ka bërë një dedikim në kujtim të politikanit të vrarë serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Siç shprehet Kurti, Ivanoviq, ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.
Tutje ai thotë se këtë Ivanoviq e bënte duke qenë i hapur, i sinqertë dhe gjithmonë i mprehtë.
Për më shumë, ja dedikimi i tij i plotë, publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës në facebook.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.
Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.
Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, thuhet mes tjerash.