Ukraina i ka ndërprerë operacionet e kërkim-shpëtimit në bllokun e banesave në qytetin qendror të Dnipros, ku dhjetëra njerëz u vranë nga një sulm raketor rus.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha se 20 persona ende janë të pagjetur pas sulmit të së shtunës dhe se 44 të vdekurit e konfirmuar i përfshijnë pesë fëmijë. Tridhjetë e nëntë persona janë shpëtuar nga rrënojat dhe gjithsej 79 të tjerë janë lënduar.
“Në orën 13:00 të datës 17 janar, operacionet e kërkim-shpëtimit në qytetin e Dnipro në vendin e sulmit me raketë përfunduan”, shkroi shërbimi i urgjencës në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Ukraina thotë se ndërtesa u godit nga një raketë ruse Kh-22. Rusia tha se vala e saj e sulmeve me raketa të shtunën nuk i kishte synim asnjë ndërtesë banimi.