Rasti “Toka”, dëshmitari thotë se ata me të cilët kishte problem familja e tij s’janë këtu të akuzuarit

Rasti “Toka”, dëshmitari thotë se ata me të cilët kishte problem familja e tij s’janë këtu të akuzuarit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Dejan Llaziq, ka thënë se nuk e njeh asnjë nga të akuzuarit në rastin “Toka” dhe se ata me të cilët ka pasur problem familja e tij, nuk janë këtu.

“Nuk njoh absolutisht, ata njerëz me të cilët kemi pasur problem ne dhe familja, ata njerëz nuk janë këtu”, tha dëshmitari Llaziq.

Këtë deklarim, dëshmitari Llaziq e dha në seancën e së premtes, në gjykimin ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, në rastin e njohur si “Toka”.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, se a ka poseduar pronë babai i tij, dëshmitari Llaziq ka thënë se babai i tij ka poseduar pronë dhe e njëjta ka qenë në shitje.

“Prona ka qenë në shitje, por ata që kanë qenë të interesuar për këtë janë tërheq, këta nuk janë ata njerëz që janë këtu”, tha thënë dëshmitari Llaziq.

Llaziq tha se ai dhe babai i tij tani më i ndjerë, kanë pretenduar se një pjesë e pronës së tyre është uzurpuar, ku edhe kishte filluar i gjithë ky proces.

“Unë personalisht sipërfaqen e cila është pronë e babës dhe të afërmve tjerë, për të cilën jam këtu e kam punuar deri në vitin 2011, pastaj babai im i ndjerë ka pas kontakt me do njerëz lidhur me shitjen e kësaj prone, atëherë ata kanë kërkuar kthimin e avancit që kanë dhënë në emër të blerjes e ndërkohë mendoj që EULEX-i ka iniciuar hetimet”, ka thënë Llaziq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sepse sipas tij, në atë pjesë ku është prona shumë fqinjë të tyre ishin ankuar.

“Neve na kanë paraqitë si pronar edhe EULEX-i ka ardhë na ka marrë deklaratat nga ne. Nga familja jem askush nuk ka shku i pari me lajmëru asgjë, ne jemi të identifikuar nga EULEX-i, nga ata policë, e supozoj në propozim të fqinjëve tanë të cilët vetëm i kanë realizuar disa kontakte dhe në bazë të asaj kemi dhënë edhe ato deklarata”, tha tutje Llaziq.

I njëjti shtoi se e gjithë kjo kishte ndodhur para më shumë se 5 viteve dhe se nga ajo kohë të gjitha këto i ka lënë anash duke u kujdesur për familjen e tij.

Në këtë seancë, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe Jelena Steviq, Bratislav Stanojeviq dhe Ministër Jusaj.

Dëshmitarja Steviq deklaroi se tani të ndjerin V.S e ka pasur axhë, dhe pas vdekjes së babait të saj, i njëjti i ka udhëhequr pasurinë për pronën bashkëfamiljare.

Ajo tha se axha i saj V.S ka kërkuar autorizimin nga ajo për të shitur një arë.

“Po e ka shit, sepse gjyshes time e cila atëherë ka qenë e gjallë ia ka dhënë 1/3 e hollave, nuk i kam parë të hollat, por më kujtohet që kanë qenë 50 mijë euro”, tha dëshmitarja Steviq.

Kurse, dëshmitari Stanojeviq, i cili njëkohësisht punon si zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Prishtinës, tha se për këtë rast ka qenë në prokurorinë e EULEX-it, ku atje ka sqaruar lidhur me akt-vdekjen duke thënë se ai ka pasur vetëm të drejtën e nënshkrimit.

“Unë e kam bërë vetëm nënshkrimin, për përpilimin e dëshmisë së vdekjes ka qenë një zyrë juridike tjetër. Kështu që, s’kam pas kontakt as me lëndën as me personin që e ka paraqitur kërkesën, kemi qenë në objekte të ndara” , ka thënë dëshmitari Stanojeviq.

Tutje, i njëjti ka treguar se njëri prej trashëgimtarëve ka të drejtë ta iniciojë procedurën e trashëgimisë dhe se ai bart përgjegjësinë nëse i ka fshehur trashëgimtarët.

Në anën tjetër, dëshmitari Jusaj, gjatë deklarimit të tij ka thënë se në vitin 2012 nga Muharrem Kadriu ka blerë një parcelë toke në Llapnasellë me sipërfaqe 54.71 ari metër.

Sipas tij, kontrata e parë e shitblerjes së kësaj parcele është përpiluar tek avokati Avni Maxhuni më 3 mars 2012, e lidhur në mes tij dhe Muharrem Kadriut.

Marrëveshja fillestare për këtë parcelë ka qenë 450 mijë euro, më datën 27.02.2012, ditën të cilën jam dakorduar me shitësin, i kam bërë pagesë 5 mijë euro avans në Raiffeisen Bank, po në të njëjtën ditë kam dhuruar edhe një “Mercedes” në vlerë 45 mijë euro”, ka thënë Jusaj.

Ndërsa, pagesën e dytë në vlerë prej 200 mijë euro e kishte bërë më 31 gusht 2012 dhe pagesën e tretë po ashtu në vlerë 200 mijë euro e kishte bërë më 21 mars 2012, të dyja këto përmes llogarisë bankare të Raiffeisen Bank.

Këto pagesa ai tha se i kishte kryer nga llogaria e kompanisë së tij, e që më pas banka i kishte kërkuar që të ndërrojë kontratën ashtu që nga emri i tij Ministër Jusaj ta bart në emrin e kompanisë së tij.

“Pastaj me datën 17 janar 2013,  jemi detyruar të ripërtërijmë kontratën, e njëjta kontratë siç ka qenë më herët vetëm të dhënat e mia janë zëvendësua me të dhënat e kompanisë time”, ka thënë Jusaj.

“Banka ma ka kërku me ndërru, pasi që pagesat janë kry nga llogaria e kompanisë me qenë edhe kontrata në emër të kompanisë, e njëjta kontratë me të dhënat e njëjta pa ndryshime”, ka thënë tutje dëshmitari Jusaj.

Pastaj, ai tha se atë kontratë e kishte vërtetuar në Gjykatën e Prishtinës dhe në të njëjtën ditë iu kishte lëshuar vërtetimi i pronësisë në emër të kompanisë .

I njëjti ka thënë se kopja e planit dhe lista poseduese kanë qenë në emër të shitësit Muharrem Kadriu.

“Kopja e planit dhe lista poseduese  ka qenë në emër të shitësit Muharrem Kadriu, kam pyetur në zonën kadastrale dhe në gjykatë nuk ka pasur asnjë pengesë për këtë pronë”, tha Jusaj.

Po ashtu në të njëjtën ditë, ai tha se kishte autorizuar avokatin Avni Maxhuni për ta përfaqësuar pranë organeve kompetente, si prokurori dhe gjykatë.

Më pas, ai tha se deri në momentin kur e kishte thirrë EULEX-i për herë të parë, asnjë informacion lidhur me këtë pronë nuk e kishte pasur.

“Pasi kam përfunduar takimin në seancën dëgjimore në EULEX, në momentin si kam dalë nga gjykimi, e kam thirrë Muharremin, s’m’u ka përgjigj, m’u ka përgjigj djali i tij Ariani, edhe kam folë në telefon prej Prishtinës deri në Pejë me to, i kam thënë nuk është në rregull me më shti mu këtyre sene nëse e keni ditë se prona nuk ka qenë në rregull”, ka thënë ai.

Po ashtu, tha se e kishte pyetur Muharrem Kadriun se kush para tij e ka poseduar tokën dhe pse të po e shiste atë.

“Po e kom pyet, Muharremi m’ka thënë që e kom ble prej një personi shqiptar, Muharremi ka qenë bashkë me dy djemtë e vet në prezencën e avokatit, “kom dashtë me bo biznes me kerre”, me çka punojnë djemtë e tina, pastaj e kom bo pyetjen e dytë pse po e shet? Ma ka kthy përgjigjën afër këtu tek shpija ku banon te konviktet ngjitë me to po shitet një pronë dhe më vyejnë mjete financiare për me ble atë pronë”, deklaroi Jusaj.

Tutje, tha se nga momenti kur e ka marrë listën poseduese, kopjen e planit dhe pasi që kishte kryer të gjitha procedurat si blerës nuk kishte pasur fijen e dyshimit që ka mundur me qenë një proces i involvum lidhur me këto prona.

Gjithashtu Jusaj ka thënë se EULEX-i në takimin e parë i kishte thënë mos të bëjë asnjë ndërtim në atë pronë, e cila pronë sipas tij për momentin është tokë bujqësore.

“Për momentin është arë, tokë bujqësore, po ngjit me mua ku janë blere parcelat ka ndërtime tash a kanë leje a jo nuk e di, nuk kam pyet, me atë qëllim e kam ble edhe unë për të cilin prej vitit 2013 e kam planin investim ku ka pas me u investu 1.5 milion euro”, deklaroi dëshmitari Jusaj.

I njëjti theksoi se EULEX-i nuk i ka dhënë vendim me shkrim dhe asgjë tjetër.

“Por, më kanë thanë mos ndërto se e panë ata planin që e kam, deri në momentin sa ta lëshon një vendim gjykata dhe prokuroria ato prona janë të pezulluara njëherë”, tha i njëjti.

Ndërsa, shtoi se në vitin 2016 menjëherë pasi e kishte përfunduar kredinë kishin lindur këto probleme.

E lidhur me këtë tokë, ai tha se nuk është në dijeni nëse është iniciuar ndonjë procedurë civile.

Përveç Avni Maxhunit, Muharrem Kadriut dhe dy djemtë e tij, dëshmitari Jusaj tha se nuk e njeh asnjë person tjetër në lidhje me këtë pronë.

“Edhe dëmshpërblimin që kompania jem e kërkon, e kërkon vetëm prej Muharrem Kadriut me asnjë person tjetër unë nuk kam punë”, shtoi tutje Jusaj.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Avni Maxhuni, avokati Muhamet Humolli se nga e njeh Maxhunin, dëshmitari tha se të njëjtin nuk e ka njohur asnjëherë në jetën e tij, por tek ai e kishte dërguar shitësi i parcelës- Muharremi, duke i thënë se atë e kanë avokat privat.

“Unë i kam thënë avokat privat e kam Besnik Berishën, ai m’u ka drejtu, jo te Besniku e kemi na avokatin tonë privat i cili ka njohuri për të gjitha ato prona që janë shit-ble në Llapnasellë”, tha Jusaj.

Ndryshe, në këtë seancë kanë munguar dëshmitarët Sherif Spahiu dhe Faton Ramadani, për të cilët gjykatësi Hoti tha se të njëjtin e kanë pranuar ftesën, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Ndaj këtyre dëshmitarëve, gjykatësi Hoti tha se gjykata do të urdhërojë Policinë e Kosovës që të njëjtit të sjellen në seancën e radhës.

Po ashtu, ka munguar edhe dëshmitari Visar Ahmeti për të cilin gjykatësi Hoti deklaroi se nga fletëkthesa e kthyer në gjykatë konstatohet se “ftesa i është lënë me raport”, por sipas tij për të gjykata do të vendos më vonë.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan më 23 dhe 24 mars 2023.

Ndryshe, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, F.G, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Related Articles