Gjenerata Z në Serbi që e rrëzoi nga pushteti gjeneratën e politikanëve të Millosheviqit

Gjenerata Z në Serbi që e rrëzoi nga pushteti gjeneratën e politikanëve të Millosheviqit

Një lëvizje e lindur nga tragjedia, me pjesëtarë të Gjeneratës Z, e arriti atë që përpjekjet shumëvjeçare të një opozite të përçarë nuk kishin mundur – një fitore vendimtare zgjedhore ndaj kampit politik të Aleksandar Vuçiqit, të cilin e rrëzuan nga pushteti. Për pak më pak se dy vjet, studentët serbë arritën t’i jepnin fund dominimit të një gjenerate politikanësh të Sllobodan Millosheviqit.

Aleksandar Vuçiq, udhëheqësi autoritar që dominoi në Serbi për një kohë të gjatë, të dielën e pranoi humbjen pas zgjedhjeve parlamentare të vendit.

Një lëvizje studentore e lindur si reagim kundër korrupsionit shënoi kulmin e një lëvizjeje protestuese dyvjeçare të udhëhequr nga studentët, Gjenerata Z e Serbisë, e rritur me internet, telefona inteligjentë e rrjete sociale. Protestat që kishin shpërthyer, shpejt ishin shndërruar në një sfidë mbarëkombëtare për pushtetin e Vuçiqit, duke mobilizuar studentë, akademikë, punëtorë dhe qytetarë që më parë nuk ishin angazhuar kurrë në aktivizëm politik.

Ndërsa kjo gjeneratë po bëhet pashmangshëm gjithnjë e më e rëndësishme në tregun e punës e në kulturë në botë, fitorja e Listës Studentore në Serbi përfaqëson suksesin e parë politik të Gjeneratës Z në Europë.

Lëvizja protestuese në Serbi u nxit nga shembja e një strehe të sapondërtuar në një stacion treni në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku vdiqën 16 persona. Studentët thanë se ajo ishte shembur për shkak të ndërtimit të dobët dhe se përgjegjës për këtë ishte korrupsioni qeveritar.

Dijana Hrka, djali 27-vjeçar i së cilës ishte një prej 16 personave që humbën jetën nga ajo tregjedi, shpërtheu në lot pasi Vuçiqi pranoi humbjen.

“Kam pritur për këtë moment për gati dy vjet”, tha ajo për televizionin N1, duke u përpjekur të fliste mes emocioneve. “Kjo është fitorja e të gjithë neve, fitorja e fëmijëve tanë”.

Dalja në votime në Serbi arriti një shifër rekorde prej 69%, më e larta që prej rënies së udhëheqësit autoritar serb, Sllobodan Millosheviq në vitin 2000.

Studentët fituan rreth 52% të votave, duke siguruar rreth 140 ulëse në Parlament nga 250 sa janë gjithsej, një shumicë e mjaftueshme për ta formuar një qeveri pa partnerë koalicioni.

Vuçiq, ndërkaq me listën e tij mori 39% të votave. Ishin zgjedhje me ndjesinë e një referendumi pro ose kundër Aleksandar Vuçiqit, i cili e udhëhoqi vendin që nga viti 2014.

Ai e la pozitën e tij si president në shtator për të kandiduar për kryeministër, por rreziku dështoi: ai pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën, një njoftim që provokoi një shpërthim gëzimi në qendër të Beogradit.

Vuçiqi ishte në pushtet që nga viti 2012, si zëvendëskryeministër, kryeministër e president. Gjatë luftës në Kosovë ai kishte shërbyer si ministër i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, nga viti 1998 deri në humbjen e mentorit të tijj, Sllobës, në zgjedhjet e vitit 2000.

Në një kohë rritjeje të ekstremit të djathtë, Serbia ndryshoi pak situatën, duke shkruar një kapitur të ri të paktën në historinë e saj politike.

Lëvizja studentore, pa një udhëheqës konstant, me burime të kufizuara dhe larg partive politike tradicionale në Serbi, arritën një fitore që lexohet pothuajse si një përrallë politike.

Gjatë viteve të tij në pushtet, Vuçiq kontrolloi pothuajse gjithçka në Serbi, por jo edhe rezultatin që do ta merrte lista e re rivale studentore, që përbëhej nga njerëz të të gjitha shtresave të shoqërisë, por me zanafillën te një lëvizje studentore që e shprehu në rrugë kundërshtimin ndaj politikave të Vuçiqit.

Gjenerata Z në Serbi është pjesë e një vendi të ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit, e përballur gjatë fëmijërisë me sfida që i dallojnë nga përfaqësuesit e Gen Z në Europë, si familja (e cila ende përbën shtyllën kurrizore të shoqërisë serbe), feja, luftërat dhe kujtesa kolektive. Kësisoj, sa i përket Kosovës nuk ka ndonjë dallim shumë të vërejtshëm ndërmjet Listës së Studentëve që po e merr pushtetin dhe krahut të Vuçiqit që duhet t’i lënë zyret.

Të dielën, lëvizja studentore arriti atë që përpjekjet shumëvjeçare të një opozite të përçarë nuk kishin mundur ta realizonin – një fitore vendimtare zgjedhore ndaj kampit politik të Vuçiqit.

Suksesi zgjedhor i Listës Studentore u ndërtua mbi një mobilizim të gjerë dhe shumë horizontal. Marshimet e gjata nga qytetet anembanë Serbisë kulmuan me një tubim masiv në Beograd pak para votimit. Ditën e zgjedhjeve, jashtë qendrave të votimit u krijuan radhë, ndërsa edhe qytetarët serbë jashtë vendit dolën në numër të madh për të votuar.

Lista Studentore është zotuar t’i ndjekë reformat e orientuara drejt BE-së dhe ta mbajë Serbinë në rrugën europiane, një angazhim që mund t’i riformësojë marrëdhëniet e vendit me Brukselin dhe të ripërcaktojë vendin e tij në Europë.

Detyra e menjëhershme e Listës Studentore është ta formojë qeverinë dhe të nisë zbatimin e programit të saj me 11 pika për tranzicionin institucional, i cili do të kërkojë vendime lidhur me gjyqësorin, administratën publike, rregullimin e mediave dhe sektorin e sigurisë.

Lëvizja do të duhet të vendosë gjithashtu se si do t’i qaset marrëdhënieve të Serbisë me Bashkimin Europian. Fitorja e saj është mirëpritur nga udhëheqësit europianë, të cilët kanë sinjalizuar se BE-ja është e gatshme të mbështesë reformat demokratike dhe të ardhmen europiane të Serbisë.

Teksa pranoi humbjen, Vuçiqi sugjeroi se ndryshimi i qeverisë mund të çojë në vendosjen e sanksioneve kundër Moskës deri në mars ose prill.

Humbja e Vuçiqit shënon fundin e një epoke në të cilën ai u përpoq të ruante lidhje të ngushta si me Brukselin, ashtu edhe me Moskën, ndërkohë që konsolidonte pushtetin politik brenda vendit./Gazeta Express/

Related Articles