Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim miqësor, ambasadorin William Walker, me të cilin ndanë kujtimet e dhimbshme të së kaluarës, sfidat e shqetësimet e të tashmes dhe shpresat dhe besimet për të ardhmen.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar ambasadorin Walker për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, interesimin e përhershëm për Kosovën dhe gatishmërinë e plotë për të rrëfyer të vërtetën.
“Ambasadori Walker do të jetë gjithmonë ambasadori i së vërtetës”, tha Kurti.
Më tej ai ka thënë se “populli shqiptar dhe historia do të jetë përherë mirënjohës për përshkrimin dhe shpalosjen e krimeve kundër njerëzimit dhe masakrën e Reçakut, krime këto që synoheshin të fshiheshin atëherë e që mohohen edhe sot nga krerët e po të njëjtit shtet ekzekutues”.
Në shënim të 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut, në mbledhjen e 118-të të Qeverisë u ndanë mjetet për librin e Ambasadorit William Walker, rreth masakrës së 15 janarit 1999, dhe peshës historike të saj.
Duke marrë pjesë në akademinë përkujtimore në 24 vjetorin e masakrës në Reçak, ishshefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker ka thënë se është i lumtur që gjendet në Kosovë.
Ai ka shtuar se 15 janari i vitit 1999, ishte një ditë me mot të tmerrshëm, kishte borë, akull, ishte e vështirë të ngjiteshim në vendin ku ishin trupat që ishin vrarë një natë më parë.
“Sot, shikoj diellin duke ndriçuar, qiellin e katër, kjo simbolizon se gjërat definitivisht kanë ndryshuar, jo vetëm simbolikisht”, ka thënë Walker.
Walker po ashtu ka thënë se është i lumtur që edhe vitet e fundit edhe institucionet qendrore të Kosovës po vijnë në homazhe.
Ai ka thënë se masakra e Reçakut ishte moment kthese për Kosovën.