Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka bërë me dije se sot në 17 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova bashkë me zyrtarë të partisë kanë vizituar edhe familjen e këtij të fundit.
Ajo, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se janë pritur nga bashkëshortja e tij Fana.
Sipas Halimit, mendësia, e urtësia e Ibrahim Rugovës, duhet të jetë figura me të cilën sot të gjithë duhet t`i thërrasim arsyes e përgjegjësisë për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Postimi i saj i plotë:
Sot, në përvjetorin e 17-të të ndarjes nga jeta, u mirëpritëm nga gruaja e cila i qëndroi afër bashkëshortit të saj, intelektualit Ibrahim Rugova, në të gjitha proceset e rëndësishme të shtetndërtimit tonë.
Zonja Fana, në një rishikim historie ndanë me ne momentet e së kaluarës, të cilat sot na bëjnë jo vetëm të rikujtojmë, por edhe ta gëzojmë paqen, falë urtësisë dhe vizionit të Presidentit të parë e prijësit paqësor të shtetit të Kosovës!
Mendësia, e urtësia e Ibrahim Rugovës, duhet të jetë figura me të cilën sot të gjithë duhet t`i thërrasim arsyes e përgjegjësisë për të ardhmen e fëmijëve tanë!