Krasniqi-Qeverisë: Mbledhuni urgjentisht, ndani fonde për komunat e prekura nga përmbytjet

Krasniqi-Qeverisë: Mbledhuni urgjentisht, ndani fonde për komunat e prekura nga përmbytjet
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar nga QEveria që të mblidhet urgjentisht dhe të marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në ndihmë të komunave që u prekën nga përmbytjet.

Ai me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Qeveria duhet t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

Tutje, ai shton se gjendja në Mitrovicë, Skenderaj, Istog e Podujevë po vazhdon të jetë e rëndë dhe banorët e këtyre qyteteve kanë mungesa të mëdha.

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Gjendja e vendbanimeve të prekura nga vërshimet në Skënderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë. Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë.

Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta.

Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë. 

Related Articles