Arrestimi i bosit të “Cosa Nostras”, Matteo Messina Denaro, në klinikën private në Palermo gjatë së hënës, la të shtangur shumë njerëz për shkak të kohës së gjatë që kishte qëndruar në arrati. Mirëpo nuk u befasuan ata që nga afër dinin gjithçka për mafien.
Pëshpëritjet për shëndetin e tij të brishtë kishin qarkulluar nëpër Sicili në muajt e fundit. Kishte thashetheme se ekzistonte marrëveshja që ai të dilte nga nëntoka për trajtim më të mirë kundër kancerit. Kur policët e pyetën për emrin, ai vendosi që të mos përdorte nofkën, Andrea Bonafede, ka bërë të ditur prokurori Maurizio de Lucia.
“Unë jam Matteo Messina Denaro”, tha ai – kjo me gjasë ishte hera e parë që përmendi emrin e tij në këto 30 vjet të arratisë.
Messina Denaro, i cili po mbahet në burgun e sigurisë së lart në L’Aquila në pjesën qendrore të Italisë, nuk është paraqitur në seancën dëgjimore të enjten – në lidhje me vrasjen e prokurorëve kundër mafies, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino – duke shtyrë avokatët që të merrnin pjesë në emër të tij.
Messina Denaro, i njohur me nofkën “Djallëzori”, nuk u pa me sy që prej vitit 1993, vetëm një vit pas vrasjeve me bomba të prokurorëve Falcone e Borsellino.
Në mungesë të tij, gjykata e kishte dënuar me burgim të përjetshëm në majin e vitit 2002 për përfshirjen në vrasjen e tyre, mirëpo tash pas arrestimit, rasti do të nis në gjykatat më të larta italiane.
Po atë vit ai ishte dënuar për vrasjen e 12-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, i biri i një tradhtari, dhe për vrasjen e Antonella Bonannos, të dashurës shtatzënë të një bosi rival. Të dy rastet do të dalin para gjykatave të larta tani kur ai është arrestuar.
Pas arrestimit, policia ka gjetur dy vende të fshehjes në qytetin sicilian Campobello di Mazara. Këtu besohet se ka jetuar në muajt e fundit. Vendet e fshehjes ishin në zemër të qytetit.
Në këto vende policia ka gjetur veshmbathje dhe parfume shumë të shtrenjtë. Vendi tjetër i fshehjes ishte një bunker prapa derës së fshehur.
Vrasjet e Falcones dhe Borsellinos u urdhëruan nga bosi i atëhershëm i bosëve, Salvatore “Toto” Riina, i cili u arrestua në 1993 dhe kishte futur Messina Denaro në organizatën mafioze Cosa Nostra vite më parë.
Riina u kap nga përgjimet duke shprehur admirimin e tij për kriminelin riosh, veçanërisht se si nuk e kishte problem të vriste kalimtarët e pafajshëm në vend që të fokusohej vetëm në vrasjet për hakmarrje.
Riina vdiq në spitalin e burgut në Parma në vitin 2017 për probleme të paspecifikuara shëndetësore, duke i dhënë fund përfundimisht mbretërimit të tij. Ai ishte në gjendje kome të shkaktuar nga mjekësia në atë kohë. Mario Francese, gazetar krimi që ekspozoi për herë të parë Riinën në shkrimin e tij për gazetën Giornale di Sicilia, u vra në vitin 1979.
Në vitin 2001, Cosa Nostra u shpall fajtor për vrasjen e tij, me Riinan dhe pasardhësin e tij Bernardo Provenzanon të dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit.
Pavarësisht nëse ishte rezultat i një pakti apo vërtet fryt i tre dekadave të hetimit, arrestimi u duartrokit nga ata që u lënduan më shumë nga dora vdekjeprurëse e mafies.
Maria Falcone, motra e prokurorit të vrarë, duartrokiti arrestimin e Messina Denaro. “Oh, sa do të doja që Giovanni dhe Paolo të shihnin duartrokitjet dhe duart e ngritura të njerëzve të Palermos pas arrestimit”, thotë ajo për gazetën italiane Corriere Della Sera.
Giancarlo Caselli, ish-prokuror anti-mafia në Palermo dhe koleg i prokurorëve të vrarë, tha në një intervistë në Radio Popolare se arsyeja kryesore që Messina Denaro i shpëtoi kapjes për kohë kaq të gjatë ishte bashkëpunimi i atyre që e mbronin atë.
Mafia siciliane Cosa Nostra është e vetmja nga organizatat kriminale të Italisë që sundon përmes strukturës piramidale, që do të thotë se kur shefi i lartë vdes ose burgoset, një shef i ri i lartë ngrihet në pushtet – megjithëse Riina dhe Provenzano mbajtën njëfarë ndikimi edhe sa ishin në burg.
Ndërkaq, Messina Denaro tani do të përballet me sërë gjyqesh penale. Ndonëse ai u gjykua në mungesë për një sërë akuzash, çështjet penale italiane kalojnë të gjitha në tre nivele, duke përfunduar me nënshkrimin e gjykatës së lartë.
Kriminelët mund të gjykohen vetëm në mungesë në shkallën e parë, që do të thotë se rastet e tij tani do të kalojnë në gjyqe të apelit dhe të gjykatës së lartë.
Dhe kush është shefi i ri i shefave? Policia nuk ka emëruar asnjë pasardhës të dyshuar.
Por sipas mendimit të Savianos, Messina Denaro do të vazhdojë të sundojë derisa të vdesë, si Riina dhe Provenzano para tij.