Në javën e dytë të shtatorit, 2021, saktësisht 51,913.80 euro ishin transferuar nga kompania energjetike GEN-i, me seli në Serbi, në xhirollogarinë e kompanisë “MB Consulting” Sh.P.K. në Kosovë.
Në po të njëjtën ditë, më 9 shtator të atij viti, pronari i kompanisë “MB Consulting” ishte pajisur me certifikatë të verifikimit të sigurisë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pasi i ishte nënshtruar lupës së AKI-së si i propozuar për Ambasador i Kosovës në Kroaci.
Fjala është për Martin Berishajn, tash Ambasador i Kosovës në Zagreb, i implikuar në një skandal të madh financiar në Slloveni dhe Kosovë.
Ambasadorët politikë si Martin Berisha rekomandohet t’i nënshtrohen lupës së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Janë disa pjesë që përcaktojnë kriteret në Ligji për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.
Pos të dhënave për përgatitjen intelektuale dhe aktivitetin politik, kërkohen edhe të dhëna financiare në lidhje me borxhet apo detyrimet që ka kandidati për ambasador.
Paparaci ka mësuar ekskluzivisht se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e ka pajisur Martin Berishajn me certifikatë të verifikimit të sigurisë më datë 12 shtator, 2021.
12 ambasadorë përfshirë këtu edhe ambasadorin Martin Berishaj ishin pajisur me certifikatë nga AKI, derisa i është dhënë pa verifikim.
Sipas burimeve të ndryshme, përfshirë edhe ato në AKI, kanë thënë se certifikata i është dhënë Berishajt me urdhër nga Qeveria.
“Ka ardhur urdhër nga qeveria qe te pajiset me certifikatë. Asnjë procedure nuk është ndjekur”, ka thënë një burim brenda procesit.
Paparaci raportoi se ai, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.
Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.
Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.
Të gjitha të dhënat për këto transaksione i posedon Paparaci.
Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.
Paparaci, ka siguruar hetimin e Qendrës së Inteligjencës Financiare të Malit të Zi. Raporti zbulon se afaristi Martin Berishaj nëpërmjet kompanisë së tij, “MB Consulting”, me filial në Mal të Zi ka bërë transaksione të dyshimta me elemente të shumta të shpëlarjes së parave.
Veprimtaria e biznesit “MB Consulting” të ambasadorit Martin Berishaj, është kryer duke iu shmangur tatimeve në Kosovë për pesë vite me radhë.
Bazuar në gjetjet e Paparacit, kompania “MB Consulting” i është shmangur obligimeve tatimore nga viti 2017 deri në vitin 2022 dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 73 mijë eurove.
Provat që ka siguruar Paparaci, brenda Administratës Tatimore të Kosovës, tregojnë se hetuesit tatimorë kanë konstatuar se kompania e ambasadorit Berishaj ka vetë deklaruar obligime tatimore të papaguara në vlerë prej 73.701 euro.
“Pas shpifjes që është bërë ndaj meje me datën 21 prill 2022 nga Vitomir Petroviq në Planet TV, i cili po citohet nga mediat tona, kam bërë padi në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor”, u shpreh Berishaj.
Gjithashtu, ai tha se firma “Zaslon L.C.C” dhe “Myloja sh.p.k nuk janë në pronësi të tij dhe thotë se për këtë gjë e ka njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsionit të Republikës së Kosovës përmes një emaili zyrtar më 5 korrik 2022.
Por, Martin Berishaj, e ka të regjistruar në Kosovë firmën “Myloja L.L.C”, me adresë në Hajvali, të Prishtinës. Ajo u regjistrua në 2008.
Një gjë e tillë mund të vërtetohet lehtë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.
Sipas përshkrimit në ARBK, “ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i këtij biznesi, ku 33% të aksioneve i posedon Martin Berishaj bashkë me Janez Bukovnikun e Anton Eerne.
Po ashtu, edhe ndërmarrja tjetër e cila me adresë është në Hajvali “Zaslon Kosova L.L.C”, një prej pronarëve ka Berishajn, me 15 për qind të aksioneve. E njëjta është regjistruar më 2008. Aktiviteti i saj mbetet i njëjtë.
Berishaj në këtë biznes e ka ortak Benjamin Erazem Pintar, gjithnjë sipas informacioneve publike në ARBK.
Kësisoj, kjo ishte një nga gënjeshtrat e shumta të Berishajt në Facebook. Për këto biznese, Anti-korrupsioni kishte nisur hetimet ndaj Berishajt për mos-raportim apo raportim i rremë i pasurisë.
Megjithatë, Berishaj i mohon akuzat dhe thotë se është i ‘pastër si loti’.
“Pretendimi se unë kam fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, nuk qëndron dhe është i pavërtetë. Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., nuk janë në pronësinë time dhe për këtë e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022”, shkroi Berishaj tutje.
Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.
Megjithëkëtë, vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci nën mbrojtjen e kryeministrit dhe presidentes.