Nën drejtimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmetit dhe drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë për Marrëdhënie Bilaterale, ambasadorit Jeroen Cooreman, sot në Bruksel, u mbajtën konsultimet politike mes ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja shteteve.
Përgjatë konsultimeve u vlerësua ngritja e ndërveprimit ekonomik dhe tregtar mes ekonomive të të dyja vendeve dhe u shqyrtuan mundësitë për lehtësimin e mëtutjeshëm të këtyre zhvillimeve.
Në takim u diskutua edhe për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës dhe u shpreh gatishmëri për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave të mira.
“Zëvendësministri Ahmeti falënderoi ambasadorin Cooreman për mbështetjen e Belgjikës për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë që këto dy organizata kanë për mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Tema të tjera në këtë takim ishin edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe situata në rajonin e Ballkanit, pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse mbi Ukrainën.